1Ka disa javë që Klan Kosova është interesuar të mësojë se çfarë po bën shteti i Kosovës për të sqaruar ato që ndodhen në Kumanovë, më 9 e 10 maj. Me gjithë përpjekjet e shumta, askush në Ministrinë e Jashtme, përgjegjëse për këtë gjë, nuk është deklaruar nëse Prishtina i ka kërkuar sqarime Shkupit për mënyrën e vrasjes së shtetasve kosovarë.
Ambasada në Shkup ka thënë se duhet folur me MPJ-në në Prishtinë, e zyrtarët e MPJ-së e kanë hedhur topin nga njëra derë, në tjetrën. Kjo sjellje, e dendëson mjegullën mbi ndodhitë në “Lagjen e Trimave”. Kosovarët ende nuk e dinë saktë nëse Beg Rizaj e Mirsad Ndrecaj u vranë gjatë luftimeve, apo njëherë u arrestuan e më pas u vranë diku tjetër.
Shumë mjegull ka mbetur pa u larguar pas konfliktit të Kumanovës, më 9 e 10 maj, ku në luftimet dyditëshe mbetën të vdekur 22 veta, 14 nga grupi i armatosur (të gjithë shqiptarë) dhe 8 policë (7 maqedonas dhe 1 shqiptar).
Paqartësia kryesore ka të bëjë me fatin e Beg Rizajt e Mirsad Ndrecajt. Ende nuk po dihet nëse ata u vranë në vendin e ngjarjes, gjatë shkëmbimit të zjarrit, apo diku tjetër, kur plumbat u ndalën, pasi ishin arrestuar paraprakisht.
Fillimisht, në një dokument lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, më datën 12 maj 2015, këta dy ish-luftëtarë të UÇK-së, ishin në listën e të arrestuarve.
Emrat e tyre, një ditë më vonë, u raportuan bashkë me ata të të vdekurve tjerë, nga një institucion tjetër shtetëror i Shkupit, Ministria e Punëve të Brendshme.
Kjo bëri të ngritet dilema e madhe, kur dhe si u vranë ata?
Përgjigje për këtë nuk janë dhënë nga autoritetet maqedonase. Televizioni AlsatM ka bërë të ditur më herët, se ka kërkuar sqarime për këtë mjegull nga organet e rendit në Shkup, por askush nuk i ka ofruar shpjegime.
Kjo ngre shumë dyshime për hetimet që janë kryer në lidhje me konfliktin e madh të Kumanovës.
Avokati kosovar Arianit Koci thotë se gjithçka u zhvillua, u bë në rrethana të paqartësisë së thellë.
“Hetimi është kryer ne mjegull të madhe juridike. Në mungesë të shkresave të lëndës, vështirë është të jepet një diagnozë e saktë, lidhur më këtë rast tragjik”, tha Koci për Klan Kosovën.
Por, për ta zhveshur mjegullën juridike nga ky rast, nuk po punon as shteti i Kosovës.
Ose, nuk po tregon se çfarë ka bërë, apo çfarë është duke bërë në lidhje me këtë ngjarje të hidhur.
“Ambasada e Kosovës ne Maqedoni, ka të drejtë ligjore që të interesohet për qytetarët e vet”, thotë Koci. “Njëherësh, Maqedonia ka për obligim që përfaqësisë sonë diplomatike, t’ia jep të gjitha informacionet e nevojshme”.
Por, trupa diplomatike kosovare në Shkup nuk po flet.
Disa pyetje që i janë bërë ambasadës tonë në kryeqytetin maqedonas, janë adresuar diku tjetër.
“Duke shprehur konsideratë për ju dhe televizionin tuaj, ju njoftojmë se për gjithë interesimin tuaj mund të i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë, respektivisht departamentit të mediave.”, i tha Klan Kosovës, Burim Qorri, këshilltar në ambasadën e Shkupit.
Ministria e Jashtme është shfaqur edhe më e mbyllur.
Është kontaktuar zyra për informim e kësaj ministrie, por askush nuk është lajmëruar. Pastaj zyra e drejtorit të përgjithshëm të MPJ-së, Albert Prenkaj, nga e cila u tha se duhet kontaktuar këshilltari i zëvendësministrit, Kastriot Orana.
Ky nuk ka pranuar të jap prononcim, duke thënë se për këtë punë është zëdhënësi i Ministrisë, Artan Behrami, që nuk është lajmëruar në telefon, sa herë ka provuar ta thërrasë Klan Kosova.
As nuk ka kthyer ndonjë përgjigje, në emailat që i janë dërguar. Krejt kjo situatë veç sa e bënë më të dendur mjegullën në lidhje me qëndrimin e Republikës së Kosovës karshi rastit Kumanova.
E kur shteti nuk reagon, atëherë familjarëve të të vrarëve, u mbetet vetëm një mundësi për të ditur si vdiqën këta të fundit.
“Madje, pasi që të shteren të gjitha mjetet juridike në kuadër te sistemit ligjor te Maqedonisë, familjaret kanë të drejtë të kërkojnë që kjo çështje të trajtohet edhe ne Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, thotë avokati Koci.
Disa familjarë të të vdekurve i kanë treguar Klanit se janë duke punuar në këtë drejtim, por nuk kanë pranuar të japin shumë detaje, në këtë fazë.

Jep komentin tuaj

te komentuar

Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2014!